Deputetët e VV-së Eman Rrahmani dhe Visar Korenica pro lejimit të shamisë në shkolla

Një kërkesë për anulimin e ndalimit të bartjes së shamisë në shkolla tashmë ka mbërrirë në adresë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Në kërkesën, e parashtruar nga ish-këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, i kërkohet ministres Arbërie Nagavci të zhbëhet kjo ndalesë.

Kërkesën e Berishës, e kanë përkrahur disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i së cilës, Albin Kurti, e kishte premtuar lejimin e vajzave me shami të vijojnë shkollën.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, është një ndër deputetët që tashmë publikisht e ka treguar mendimin e tij për çështjen e shamisë. Ai është pro lejimit të nxënëseve me shamia në shkolla.

I kontaktuar nga gazeta Nacionale, Rrahmani e ka vlerësuar si kërkesë të drejtë nismën e Berishës.

Premtimi për shamitë, ish-këshilltari i Kurtit i kërkon Nagavcit lejimin e tyre në shkolla
Madje, ai tha se e ka lexuar kërkesën e Berishës, duke theksuar se i duket e “goxha e përgatitur në mënyrë profesionale”.

“Kërkesa e z.Durim Berisha është kërkesë e drejtë, të cilën unë si deputetë personalisht e kam kërku që sa kohë që ajo fjali në udhëzimin administrative të largohet. Sa e kam lexu, është kërkesë goxha e përgatitur në mënyrë profesionale dhe shpresojmë që ka me u lehtësu punën që me marrë një vendim të duhur, dhe me e largu atë pjesë diskriminuese nga udhëzimi administrativ ministrja e Arsimit, zonja Abrërie Nagavci”, tha Rrahmani për Nacionale.

Edhe një deputetë tjetër i LVV-së e ndan të njëjtin mendim me Rrahmanin.

Visar Korenica thotë se e përkrah nismën e ish-këshilltarit të Kurtit, duke theksuar se shteti i Kosovës nuk duhet të pengojë vajzat me mbulesë për të ndjekur mësimet.

“Ne nuk jemi rrobaqepës, nuk na intereson çka vendosin vajzat mbi kokë por çka kanë në kokë, rrjedhimisht duhet mos me i pengu vajzat vijimësinë në shkolla meqë me vullnet të lirë zgjedhin bartjen e shamisë”, tha ai.

Tutje, Korenica thotë se diskriminimi ndaj vajzave me shami theksohet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Për më tepër bartja e shamisë lejohet edhe me kushtetutë edhe me ligj, udhëzimi administrativ i vendosun nga PDK-ja është në kundërshtim me norma/akte juridike që janë mbi udhëzimin. Edhe DASH-i në raportin e fundit ka theksuar diskriminimin e padrejtë që ju bëhet vajzave me shami në shkolla tona. Aq sa nuk ka pengesë për vajzat me gjinse të ngushta e të shkurta aq më pak të mos ketë pengesë për bartjen e shamisë”, përfundoi ai.

Durim Berisha, ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, i ka dërguar një kërkesë Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, me të cilën i ka kërkuar anulimin e nenit të udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformës në shkollat publike.

Në kërkesën që e ka siguruar gazeta Nacionale, Berisha ka kërkuar që anulimi të bëhet për shkak të pavlefshmërisë absolute të këtij neni.

Qeveria / Kurti cullak: Dikur pro shamisë, tash e një vit la udhëzimin administrativ kundër shamisë
“Formulimi i përdorur në dispozitën e kontestuar ka pasur për rezultat mohimin e të drejtave themelore të garantuara me nenin 47 të Kushtetutës së Kosovës [E Drejta për Arsimin] për të gjitha nxënëset të cilat kanë bartur mbulesë të kokës për shkak të bindjeve fetare”, thuhet në kërkesë.

Tutje, në kërkesën e tij, Berisha, që është jurist i së drejtës kushtetuese, ka theksuar se një kufizim i tillë është anti-kushtetues.

“Për më tepër, kufizimi arbitrar i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti administrativ është i ndaluar në Republikën e Kosovës. Në bazë të nenit 55 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës „të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj””, shkruan në shkresën e tij ish-këshilltari i Kurtit.

Sipas Berishës, dispozita që ai e konteston, paraqet një akt absolutisht të pavlefshëm, duke theksuar se është obligim i MASHTI-t që të anulojë të njëjtin.

Për këtë çështje, Nacionale e ka kontaktuar edhe ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci. Ajo është pyetur nga Nacionale, nëse do ta trajtojnë këtë çështje dhe nëse do ta lejojë bartjen e shamive në shkolla.

Por, deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Ndyrshe Kurti e kishte përkrahur lejimin e vajzave me mbulesë në objekte arsimore mbi moshën 16-vjeçare.

Mirlind Behluli/Nacionale

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.