20 vite burgim ndaj të akuzuarve për vjedhjen grabitqare të cigareve në një supermarket në Prizren

Të akuzuarit Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj të hënën janë dënuar për vjedhje grabitqare nga Gjykata e Prizrenit. Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj u dënuan me nga 5 vite burgim. Të lartcekurit u gjetën fajtorë pasi më 2 shtator 2020, në bashkëveprim edhe me të miturin H. B., nën përdorimin e armës së zjarrit kanë hyrë me forcë në qendrën tregtare “Viva Fresh Store” dhe nga aty marrin një sasi të cigareve.I përfshirë në aktakuzë ishte edhe Xhafer Ahmetaj, i cili për përdorim të armës u lirua nga akuza. Pos dënimit me burgim, të akuzuarve iu shqiptuan edhe nga 2,000 euro gjobë. Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Teuta Krusha, bashkë me anëtarët Raima Elezi dhe Vjollca Buzhala dhanë verdiktin e këtij rasti. Të akuzuarit e lartcekur janë të obliguar që në emër të paushallit të paguajë shumën prej 300 eurove dhe 50 eurove në emër të kompensimit të viktimave.Me rastin e shpalljes së aktgjykimit pas analizimit dhe vërtetimit të provave dhe fakteve, pas dëshmisë së dëshmitarëve dhe të dëmtuarve gjykata erdhi në përfundim se të akuzuarit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale vjedhja grabitqare. Në arsyetimin e dhënë, gjykatësja Teuta Krusha tha se me veprimet e të akuzuarve gjykata ka vërtetuar fajësinë e tyre. Sipas Prokurorisë, Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj akuzohen se më 2 shtator 2020, rreth orës 03:35, në fshatin Korishë të komunës së Prizrenit, kishin hyrë në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H. B., me qëllim për të vjedhur.Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve. Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturë dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëme materiale. Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘vjedhja grabitqare’. Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetent.Sipas Prokurorisë derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga terrasa e shtëpisë ku banon ka shtënë 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit. Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa Policia arrin në vendin e ngjarjes, Xhafer Ahmetajt ia sekuestron armën në fjalë. Me këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

ATT00001

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.