Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj dyshohet se u përfshi në një skandal të madh financiar

Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Çfarë ka ndodhur?

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj, shkruan Nacionale. com.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Gazeta Nacionale gjatë gjithë kohës ka provuar që ta kontaktojë z. Berishaj për ta marrë një prononcim edhe nga ai, por ambasadori ka qenë i pa qasshëm, megjithëse në një moment i ka lexuar pyetjet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook’ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit”.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Kush ishte mushka që e bëri këtë, pyet televizioni slloven?

“Pronari i MP Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr parat kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”, thotë media sllovene, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si profit nga llogaria e biznesit.

Burimi i ka treguar televizionit Planet që parat që z. Berishaj ia ka dërguar politikanit slloven, ky i fundit i ka investuar në një fond italian.

ATT00001

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.