Belgjika kërkon sanksione ndaj Izraelit: S’po mërzitet për kërkesat, shiu i bombave – çnjerëzor



Zëvendëskryeministrja e Belgjikës, Petra De Sutter, i ka bërë thirrje Qeverisë që të miratojë sanksione kundër Izraelit dhe ta hetojë bombardimin e spitaleve dhe kampeve të refugjatëve në Gaza nga forcat izraelite.

“Është koha për sanksione kundër Izraelit. Shiu i bombave është çnjerëzor. Është e qartë se Izraeli nuk mërzitet për kërkesat ndërkombëtare për armëpushim”- i tha ajo gazetës “Nieuwsblad”.

Zonja De Sutter tha se Bashkimi Evropian duhet ta pezullojë menjëherë marrëveshjen e asocimit me Izraelin, me të cilën synohet bashkëpunimi më i mirë ekonomik e politik, përcjell gazeta “The Guardian”.

Ajo shtoi se duhet të zbatohet edhe ndalimi i importimit të prodhimeve nga territoret e pushtuara palestineze dhe se kolonëve të dhunshëm, politikanëve dhe ushtarëve përgjegjës për krime lufte duhet t’u ndalohet hyrja në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë, sipas zëvendëskryeministres belge, Belgjika duhet t’i rrisë fondet për Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë për ta hetuar bombardimin nga forcat izralite, ndërsa duhet ta zvogëlojë qarkullimin e parave për Hamasin.

“Kjo është një organizatë terroriste. Terrori kushton të holla dhe duhet të ketë sanksione ndaj kompanive dhe njerëzve që i ofrojnë para Hamasit”- shtoi zyrtarja e lartë belge.
NACIONALE

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.