Disa deputetë të VV-së sërish do të votojnë kundër Kodit Civil për martesa të gjinisë së njëjtë

Partia në pushtet do të tentojë edhe një herë që t’i sigurojë votat për miratimin e projekt-kodit civil të Kosovës.
Ministria e Drejtësisë shumë shpejt pritet që ta dërgojë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, ani se vitin e kaluar kishin dështuar që t’i sigurojnë votat për aprovim.
Shumë deputetë edhe të partisë në pushtet kishin votuar kundër këtij projekt-kodi, pasi disa nene të tij i konsideronin të papranueshme.
Mirëpo, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se për këtë janë në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që projekt-kodi t’i marrë votat e duhura dhe të miratohet.
Sipas Haxhiut, nuk është mirë për Kosovën që pretendon që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës që mos ta votojnë një dokument që ka të bëjë me të drejtat e njeriut.
Mirëpo, deputetët e partisë në pushtet të cilët herën e kaluar e kundërshtuan projekt-kodin civil, nuk kanë ndryshuar qëndrim.
Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani thotë se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë në Grup Parlamentar dhe se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë.
Edhe deputeti tjetër nga Vetëvendosjes, Gramoz Agusholli, i cili kishte kundërshtuar si të tillë projekt-kodin, thotë se vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë.
Ndryshe, Kodi Civil dështoi vitin e kaluar të miratohet në Kuvend, pasi u kundërshtua nga disa deputetë të LVV dhe të komunitetit jo shumicë.
Kundërshtimi kishte ardhur pasi një numër i deputetëve kishin refuzuar të votonin pro martesës së personave të gjinisë së njëjtë.
Kanal 10