E vetmja rrugë drejt paqes është krijimi i një shteti palestinez



E vetmja rrugë drejt paqes është krijimi i një shteti palestinez, thotë shefi i politikës së jashtme të BE-së
Gjatë vizitës në Liban, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, duke folur në një konferencë shtypi të mbajtur me kryeministrin libanez, Najib Mikati, tha se donte të fillonte një nismë europiano-arabe për të ringjallur një proces paqeje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, me qëllimin përfundimtar të një zgjidhje me dy shtete.

“Rruga e vetme është krijimi i një shteti palestinez”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se perspektiva e një shteti do të ofronte një “horizont shprese” për palestinezët, përcjell Telegrafi.

Ai tha se do të vizitojë gjithashtu Arabinë Saudite të dielën për të diskutuar hapat për të siguruar paqen në të gjithë rajonin.

Dhe shefi i politikës së jashtme evropiane paralajmëroi të shtunën se është “absolutisht e nevojshme” që Libani të mos përfshihet në një konflikt rajonal si rezultat i luftës së Izraelit në Gaza.

“Unë po i dërgoj këtë mesazh edhe Izraelit: askush nuk do të fitojë nga një konflikt rajonal”, tha ai, duke shtuar, “Unë mendoj se lufta mund të parandalohet, duhet shmangur dhe diplomacia mund të mbizotërojë”.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.