Gjermani, mitrovicasi e theri për vdekje ish-gruan në prani të motrës së saj

Të shtunën mbrëma një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Aachen të Gjermanisë. Një burrë nga Kosova e ka vrarë ish-gruan e tij në parkingun e një qendre tregtare.

Klan Kosova përmes burimeve mëson se dorasi e ka therur viktimën në prani të motrës së saj.

Më parë ata kanë qenë të martuar dhe së bashku i kanë tre fëmijë. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata janë ndarë dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë duke bashkëjetuar.

Andaj, gjykata ua ka caktuar kujdestarinë e përbashkët ndaj fëmijëve dhe në ditën kritike, ata është dashur të takohen për të bërë shkëmbimin e fëmijëve.

Ndonëse vrasja nuk ka ndodhur në sy të fëmijëve, ishte motra 18-vjeçare e viktimës ajo e cila e pa motrën e saj duke u qëlluar disa herë me thikë për vdekje.

E gjithë ngjarja ka ndodhur përballë selisë së policisë në Aachen të Gjermanisë, ku sipas medieve gjermane, ka pasur edhe kalimtarë rasti të cilët mund të jenë dëshmitarë në gjykatë.

Si pasojë e plagëve të rënda, viktima ka ndërruar jetë në vend.

Pas krimit, policia e ka rrethuar zonën dhe e ka kërkuar autorin me helikopter. Mirëpo, mësohet se burri më në fund është dorëzuar vullnetarisht.

Të dielën, dorasi është sjellë para drejtësisë; mirëpo ende nuk dihet motivi i vrasjes. Hetuesit e rastit janë duke i konsideruar shkaqet që kanë mundur ta motivojnë personin në fjalë për ta vrarë ish-gruan e tij.

Tashmë 37-vjeçari ndodhet në paraburgim dhe po akuzohet për vrasje. Ndërsa trupi i pajetë i 28-vjeçares është dërguar për obduksion ku së shpejti pritet të mësohen detaje shtesë rreth rastit.

Klan Kosova mëson se dorasi me inicialet B.A. është nga fshati Rashan i Mitrovicës. Ndërsa viktima me inicialet J.B. është nga fshati Zasellë i Mitrovicës.

Familjarët e viktimës, përmes një njoftimi në Facebook, kanë bërë të ditur se varrimi i të ndjerës do të bëhet në fshatin e saj të lindjes. Për datën dhe detajet tjera, ata do të njoftojnë ditëve në vijim.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.