Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

Gjykata Speciale në Hagë ia ka vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili po akuzohet për krime lufte.
Kështu ka bërë të ditur shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, përmes një konference online për media.
Griep tha se kjo masë e sigurisë Thaçit i është vazhduar të martën, më 25 janar.
“Gjykatësi i procedurës paraprake konstatoi që rreziku se i akuzuari të pengoj procedurat ose të kryej krime të tjera mund të zbutet mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimit të objekteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Griep.
Tutje, ajo bëri të ditur se të premten, më 21 janar, trupi gjykues 1 urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Salih Mustafës.
Sipas saj, gjykatësit konstatuan se rreziku i pengimit të ecurisë së procedurës vazhdon të ekzistojë, përfshirë rrezikun e ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë.
“Më 25 janar 2022 dëshmitari i dytë i fundit i thirrur nga prokuroria dëshmoi në rastin Salih Mustafa për zingjirin komandues, modalitetet e komunikimit dhe lëvizjet e UCK-së në rajonin e Gollakut. Përveç kësaj dëshmitari dëshmoi për njësitin BIA të UCK-së dhe rolin e funksionin e tij në prill 1999. Ai më tej dëshmoi për ofensivën e forcave serbe në zonën e Zllashit gjatë gjysmës së dytë të prillit 1999”, ka thënë ajo.
Griep tha se dëshmitari ka dëshmuar pa masa mbrojtëse. Ndërkaq, shtoi se javën e ardhshme, më 1 shkurt 2022, dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria pritet ta fillojë dëshminë në këtë rast.