Hapja e konkursit për Kryeprokuror të ri, reagon ashpër Ambasada Britanike: Nuk u konsultuan me neve!

Ambasada e Britanisë së Madhe është shprehur e befasuar lidhur me vendimin e marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për të shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një reagim publik të Ambasadës së Britanisë thuhet se kishin ofruar mbështetje për rekrutimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa teksa po prisnin përgjigje nga KPK-ja, janë befasuar me vendimin e djeshëm.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues”, thuhet në reagim
Me këtë veprim sipas Ambasadës së Britanisë, KPK-ja e ka humbur një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë.

“Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të mërkurën në takimin e parë të mbajtur për vitin 2022 mori vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurori aktual, Aleksandër Lumezi përfundon mandatin më 21 prill, teksa konkursi për këtë pozitë është vendosur të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga 17 janari.
Në takimin e djeshëm, Këshilli Prokurorial i Kosovës poashtu ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokruroti të Shtetit.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.