Kapet kosovari në Vermicë, transportonte 6 emigrantë me autoambulancë

Komandant i Policisë Kufitare në Vermicë, tha se 6 emigrantë janë kapur rreth orës 5 e 30, të cilët po transportoheshin me një autoambulancë.

“Rreth 5 e 30, njësitet e stacionit për mbikëqyrje kufitare në Vermicë, gjatë detyrave operative, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta në brezin kufitar dhe gjersa kanë qenë në vëzhgim të tyre, në hyrje të autostradës, është vërejtur një automjet tjetër, që dukej si autoambulancë dhe gjashtë emigrantë të huaj, tre sirianë dhe tre nga Bangladeshi, u futën shpejt në këtë automjet dhe menjëherë kanë reaguar ekipet në terren, është bërë e mundur arrestimi i shoferit dhe ka filluar trajtimi i emigrantëve si viktima të kontrabandimit”, ka thënë Telaku në Info Magazine.

Sipas Telakut, ky është rasti i parë, që kontrabandimi i emigrantëve bëhet përmes një autoambulance.

“Është rasti i parë që hasim një gjë të tillë, përndryshe, në të kaluarën, kemi pasur raste kur janë kapur shumë persona, që aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar përmes taksive apo furgonëve, mirëpo është rasti i parë që kanë hasur në një autoambulancë”, ka shtuar ai.

Ai tha se autoambulanca nuk ishte në pronësi të institucioneve por të një personi civil.

Telaku shtoi se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq emigrantët kanë kërkuar azil.

“I dyshimti është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Emigrantët pas kapjes kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare pra statusin e azilit, me ta është duke u marrë Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në kuadër të Drejtorisë për Ndihmë në Gjakovë”, ka thënë ai.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.