Kosova do të strehoj 20 gazetarë ukrainas, kaq para u ndanë për shpenzimet e tyre

Kosova është ndër vendet e para në këtë pjesë të Europës që i është bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pasi Vladimir Putini nisi forcat e tij për ta pushtuar shtetin fqinj, Ukrainën.

Lufta në Ukrainë po përcillet me vëmendje shumë të madhe në Kosovë, me qytetarët që tregojnë dhembshurinë e tyre për zhvillimet atje, zakonisht në rrjetet sociale. Në këtë situatë, Qeveria e Kosovës ka menduar të tregojë në mënyrë edhe më vendimtare pozicionimin e vendit.

Siç raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, Kosova planifikon t’u ofrojë strehim për gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas.

Qeveria fillimisht do të ndajë 150,000 euro për t’i paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’ua mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.