Kosova e Bosnja: Dy shtete të dala nga lufta me Serbinë por me regjime të pakuptimta vizash

Për shkak të regjimit të vizave këmbimet ekonomike, kulturore apo turistike mes dy vendeve pothuajse nuk ekzistojnë.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, ndonëse dy shtete në zemër të Ballkanit, vazhdojnë të mbajnë regjimin e vizave ndaj njëra tjetrës, duke vështirësuar kështu lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Pengesa të mëdha kanë edhe turistët e këtyre dy vendeve që duan të vizitojnë qytetet, muzetë, apo të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore.

Aida Vežić, sekretare e përgjithshme në Rrjetin e Muzeve të Ballkanit, thotë se “regjimi i vizave është pengesë e madhe për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në mes kolegëve, gjithashtu është një kërcënim serioz që vazhdon të zgjerojë hendekun midis kolegëve dhe komuniteteve duke iu vështirësuar lëvizjen e lirë.

Vežić thekson se qytetarët me kombësi boshnjake apo kosovare për udhëtim në të dy shtetet, varen nga ekzistenca e thjeshtë e regjimit të vizave dhe ata që vendosin të kalojnë nëpër procesin e marrjes së vizës, janë të irrituar nga procedurat e pakuptimta, në të dyja anët (BiH dhe RKS).

“Përvoja ime personale ka qenë se më kanë thënë se do të merrja një vizë njëvjeçare, por kam gjetur se datat në pasaportë janë vetëm 5 ditë për gjatësinë e ngjarjes që po ndiqja në Republikën e Kosovës. Për shkak të regjimit të vizave neve na duhet qe të dërgojmë kolegë nga vende të tjera, për të ndjekur konferencat dhe workshopet në Kosovë, por jo kolegë nga Bosnja e Hercegovina dhe kjo është një padrejtësi e madhe për ta.”

Vežić tregon se dëshiron të vizitojë Kosovën, por se i duhet të bëjë kilometra të shumtë, pasi aplikimi për vizë duhet bërë në Tiranë ose Zagreb.

Aida Vežić regjimin e vizave e konsideron barrierë për implementimin e projekteve kulturore e të trashëgimisë, pasi që detyrohen të përjashtohen të dyja vendet, shkaku i pamundësisë së marrjes pjesë nga ana e pjesëmarrësve të Kosovës dhe BiH.

“Gjatë punës sime kur diskutojmë vendin e mbajtjes se një veprimtarie rajonale ne na imponohet të përjashtojmë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën si një opsion sepse nuk do të ofronim mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, për shkak të regjimit të vizave. Është e sigurtë se ekzistenca e regjimit të vizave ka ngadalësuar dhe rënduar bashkëpunimin midis individëve dhe institucioneve dhe është një turp që ekziston ende”, përfundon Vežić.

Më të shpeshta lëvizjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës i ka edhe udhëheqësja e zyrës për Kosovën të organizatës rajonale RYCO, Krenare Gashi-Krasniqi. Ajo thotë se regjimi i vizave ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në pamundësinë e lëvizjes së lire në mes qytetarëve të Kosovës dhe BiH. Rrjedhimisht ka ulur edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat në pamundësi për t’u takuar dhe krijuar kontakte.

“Nga perspektiva e RYCO-së kjo barrierë në veçanti vështirëson lëvizjen e lirë të të rinjve e cila pa dyshim ndikon zhvillimin e aktiviteteve që do të rrisnin bashkëpunimin dhe përafrimin e shoqërive në fjalë. Në të gjitha thirrjet e hapura nga RYCO për mbështetje të projekteve dhe propozimeve, ne marrim shumë pak, ose fare aplikime në mes organizatave dhe shkollave në mes Kosovës dhe BiH dhe kjo është veç reflektim i realitetit se sa larg jemi nga një bashkëpunim i mirëfilltë me njëri-tjetrin”, thotë Gashi-Krasniqi.

DW

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.