Kurti në hapjen Festivalit tradicional të Domates në Mamushë: Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë

Me rastin e shënimit të edicionit të 15-të të hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Domates, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, mbrëmë mori pjesë në hapjen tradicionale të këtij festivali. Atje u mirëprit nga Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç. I pranishëm ishte edhe Kryetari e Komunës së Ankarasë, Mansur Yavas.
Fjalën e tij, Kurti e filloi duke shprehur ngushëllimet e tij të thella me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit dhe iniciatorit të Festivalit të Domates, Arif Bytyqi.
Ai vazhdoi duke i vlerësuar fermerët e Mamushës si punëtorë të zot dhe shembull i mirë për Kosovën. Tutje, ai shtoi se kur flitet për Mamushën, njëkohësisht flitet për njerëz punëtorë që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kultivimin e produkteve më cilësore dhe me prodhimtarinë më të madhe në vend.
Sa i përket përkrahjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këtë rast përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryeministri nënvizoi se fermerët e Mamushës kanë përfituar mbi 10 milionë euro nga viti 2021 deri në vitin 2024. Kjo mbështetjeje ka ndikuar në rritjen e sasisë prodhuese, sidomos e domates, sipërfaqet e së cilës janë shtuar për 100% në krahasim me vitin 2021, gjë që ka rritur eksportin në vlerë për mbi tetë herë, dhe sasinë, mbi gati tetë herë.