Kurti: Programi i efiçienës kursen buxhetin familjar

Ministria e Ekonomisë ka lansuar “Thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.
Kryeministri Albin Kurti tha se me anë të kësaj skeme e skemave tjera do të përfitojnë rreth 20 mijë familje.
“Në vendin tonë intensiteti energjetik është rreth tri herë më i lartë në krahasim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky numër duhet të ulet dukshëm. Andaj fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese. Këtë qëllim ne e kemi ndarë me partnerët tanë të cilët kanë dhënë 75 milionë euro në përballje me krizën energjetike. Andaj sot ne po lansojmë masën e tretë me radhë. Këto masa vijnë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si qeveri për të rritur investimet në efiçiencë të energjisë. Kjo skemë që po e prezantojmë sot nuk do të jetë e fundit. Me këtë skemë e skemat tjera që do të prezantojmë javët në vijim do të mbështesim rreth 20 mijë familje”, theksoi kryeministri.
Ai ka thënë se programi i efiçienës përveç që ndikon në aspektin ambiental, është edhe kursimtar për buxhetin familjar, RTK.
“Sektori i energjisë është kyç për energjinë tonë. E kemi dëshmuar duke fituar disa nga projektet më të mëdha e inovative në vend. Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9 mijë familje, duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente në ngrohje. Për herë të parë në vendin tonë u kemi dhënë përkrahje nënave vetushqyese”, shtoi kryeministri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se me zëvendësimin e pajisjeve joefiçiente me ato efiçiente, mund te kursehet energji deri në 40 për qind.
“Po lansojmë dy thirrjet e para, ndërsa me të tjerat do të vazhdojmë në javët në vijim. Me zëvendësimin e pajisjeve joefiçiente në ato efiçiente kursimet mund të arrijnë deri në 40%. Mbështetja e qytetarëve është një nga prioritetet e qeverisë dhe këtë tanimë e kemi dëshmuar me hapa konkret. BE është një ndër partnerët tanë kyç në këtë sektor”, theksoi ministrja Rizvanolli.