Malishevë: 47-vjeçari bashkë me gruan dhe djalin ushtrojnë dhunë ndaj babait 81-vjeçar, përfundojnë në Polici

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Nënat e baballarët detyrohen të largohen nga shtëpitë, në shumë raste edhe me forcë, si pasojë e telasheve. Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundi në Malishevë.

Në një familje në fshatin Tërpezë të kësaj komune, djali bashkë me nusen e tij dhe të birin e tyre dyshohet se kanë keqtrajtuar babain e moshuar.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar 81-vjeçari, i cili ka deklaruar se djali ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij, bashkë me nusen e nipin, duke i shkaktuar shqetësim të madh. Presioni ndaj tij dyshohet se ka qenë i vazhdueshëm pasi ata jetojnë në të njëjtën shtëpi.

Si rezultat i denoncimit të rastit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin, duke e mohuar se kanë ushtruar dhunë ndaj viktimës.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.