Njësia më elitare e Policisë së Kosovës “FIT”, proteston sot para Qeverisë



Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, e njohur si FIT do të protestojë sot para Qeverisë së Kosovës.

Ata do ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë javën e kaluar.

Para pak ditësh, në emër të Njësisë Speciale Intervenuese në kuadër të Policisë së Kosovës është dërguar shkresë zyrtare në Stacionin Qendror të Prishtinës për të lajmëruar protestën e tyre që do ta mbajnë më 1 nëntor para objektit të Qeverisë së Kosovës në mesditë.

Protesta do të mbahet nga ora 12:00 deri në orën 12:30 dhe ndërlidhet me pakënaqësitë për pagat, shtesat dhe rrezikshmërinë, shkruan Express.

Ky vendim vjen pasi Qeveria e Kosovës ka bërë propozimin për punën e shtesave.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”, ka thënë Kurti

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.