Osmani bën homazhe për 11 Shtatorin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe pranë memorialit “Kosova Kujton”, në përvjetorin e sulmit të 11 Shtatorit.

Presidentja më pas ka shfrytëzuar Facebookun e saj zyrtar për të përkujtuar viktimat e kësaj fatkeqësie dhe rëndësinë e luftës kundër terrorizmit.

“Këtu e 21 vjet më parë, më 11 shtator, amerikanët e përjetuan tmerrin e shkaktuar nga veprimet e terroristëve kundër tyre. Atë ditë, rreth 3000 jetë të pafajshme u shuan, e bashkë me to edhe dy kullat binjake, simbol i zhvillimit dhe i botës së lirë. Atë ditë, por edhe në secilën ditë të mëpastajme, krahas popullit amerikan, populli i Kosovës kujton dhimbjen të cilën e përjetoi aleati ynë strategjik, por edhe gjithë bota demokratike” shkroi Osmani.

Tutje, e para e shtetit vlerësoi se sa është e nevojshme që Kosova të vazhdojë të rreshtohet krahas aleatëve të saj.

“11 shtatori vazhdon t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së botës demokratike që të mobilizohet kundër së keqes së përgjithshme. Ai na thërret për solidaritet ndërnjerëzor, që si njerëz paqedashës të ndikojmë që ta bëjmë botën më të mirë.

Prandaj, lufta kundër terrorizmit dhe përkushtimi për paqen dhe demokracinë në botë – vlera këto të kombit amerikan – janë edhe vlerat tona. Ne do t’u qëndrojmë pranë aleatëve tanë, miqve tanë, sikur ata na qëndruan pranë në ditë të vështira për ne, por edhe gjatë gjithë rritës sonë si shtet” përfundoi presidentja.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.