“Pagesën e shërbimit të sotëm e ke bërë me 1999”, Qeriqi i befasuar nga ordinanca mjekësore në Fushë Kosovë

Ishte pjesë e Betejës së Pashtrikut, bashkëluftëtar i komandantit Mujë Krasniqi, luftëtar i dalluar dhe i plagosur rëndë nga forcat serbe. Predhat e plumbave i mbanë edhe sot në trup dhe tani e një kohë drejton këshillin për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së. Xhevdet Qeriqi, ky emër i njohur i luftës së lavdishme, sot kishte një kontroll mjekësore në ordinancën ‘Truri’ në Fushë Kosovë. Kur erdhi momenti i pagesës së shërbimeve, ai more një lajm të madh nga stafi i kësaj ordinance. “Pagesën e shërbimit të sotëm e ke bërë me 1999”, shkruante në faturën e lëshuar nga kjo ordinancë, raporton IndeksOnline.
E për këtë gjest të madh, Qeriqi ka falënderuar publikisht këtë ordinancë.
“Pas të gjitha kontrollave mjekësore, dhe pas të gjitha analizave, kur vie koha e pagesës kjo është fatura. Përgjigjja e mjekut ishte, se pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pa sakrificën e juaj ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Ky veprim ishte tepër emocionues për mua. Faleminderit, Ordinanca “TRURI”, për shërbimin dhe vlerësimin. Faleminderit, Dr. Burim Jashari- Breca”, ka shkruar Qeriqi në profilin e tij në Facebook.