Nëse një makiato e vogël ka kushtuar 70 centë, sot në shumë lokale për të njëjtën paguhet 80 centë. Po ashtu çmimi i pijeve ka lëvizur nga 1 euro në 1 euro e 20 centë ndërsa vërehet edhe rritje e çmimit të ushqimeve. Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha për KALLXO se janë disa arsye që i kanë paraprirë rritjes së çmimeve në lokalet e gastronomisë. Ai tha se kthimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 8 në 18% dhe puna me nën masat kundër COVID-19 janë ndër arsyet kryesore.“Realisht rritja e çmimeve i ka disa arsye. Jemi duke punuar në kohë pandemie dhe po kufizohemi me masa dhe kanë ndryshu disa lehtësira që i kemi pas, si masa fiskale. Përshembull TVSH në shitje nga 8% është bërë në 18%. Gjithashtu edhe gjatë fund vitit të kaluar janë manifestuar disa rritje të çmimeve të furnizimit duke u lidhur me çmimet e karburanteve e pastaj edhe me rritjen e çmimeve të produkteve bazike, siç janë mielli, kripa, vaji të gjitha këto që për gastronominë janë të domosdoshme”, tha ai. Madje Vranica paralajmëroi rrezik për rritje edhe më shumë të çmimeve në gastronomi. “Nëse duhet të ruhet formaliteti atëherë nuk kemi zgjidhje tjetër veç që të rriten çmimet. Pra ka rritje të çmimeve për këto arsye. Duhet të ndryshohen disa politika fiskale. Të vazhdohet norma e TVSH-së në 8% dhe të ketë kreditim të njëjtë prej 10% sepse mund të rrezikojmë edhe më shumë rritje, siç po raportojnë bizneset”, tha ai. KALLXO ka raportuar edhe për rritjen e çmimit të derivateve. Sipas kryetarit të naftëtarëve, Fadil Berjani çmimi i naftës mund të shkojë deri në 1 euro e 60 centë.I ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, Remzi Bytyqi, menaxher në “Plus Market” në Ferizaj, ka treguar se buka aktualisht po shitet me çmim prej 40 cent ndërkaq pritet të ketë rritje në mbi 50 cent. “Buka aktualisht është duke u shitur 40 cent, pritet që të rritet mbi 50 cent”, ka deklaruar Bytyqi.
Mediana Halili / Kallxo

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.