Sami Lushtaku: KFOR-i nuk do të luftojë për ne, Kurti s’po kërkon ndihmën e ish-komandantëve të UÇK-së

Lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dita-ditës po përshkallëzohet

Në ndërkohë, mobilizimi i Perëndimit kundër Rusisë po vazhdon me sanksione

Kurse, nga njohësit e sigurisë në vend po paralajmërohet që ky rast mund të shfrytëzohet dhe të rrezikohen edhe vendet e tjera të perëndimit.

Duke e parë këtë situatë ata po vlerësojnë se situata në veri të vendit mund të eskalojë më lehtë.

Për situatën në mes Rusisë-Ukrainës, dhe rrezikun që mund të ketë Kosova, ka folur për FrontOnline, ish-komandanti i zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Lushtaku ka deklaruar se derisa Kosova ka përballë Serbinë atëherë rreziku për vendin është gjithmonë afër.

Ai thotë se ka pasur pritje që për këtë kryeministri i vendit, Albin Kurti, t’i thërret të gjithë ish-komandantët dhe të kërkojë edhe mendimin e tyre sa i përket rrezikut që potencialisht mund ta ketë edhe Kosova.

“Unë kam prit prej kryeministrit Albin Kurtit që gjithë komandantët e zonave i thërret dhe e kërkon edhe mendimin tonë. Unë mendoj se secili shtet normal sidomos ne, kur e kemi përballë Serbinë dhe problemet e pazgjidhura me Serbinë unë mendoj që Serbia e ka një pretekst më të madh Mitrovicën e Veriut, kështu që unë e shoh që rreziku gjithmonë është në derë”, ka deklaruar Lushtaku, për FrontOnline.

I pyetur se sa mund të ketë eskalim të situatës duke e ditur që në Kosovë është prezenca e KFOR-it, ai ka thënë se nëse ushtria serbe futet në Kosovë, KFOR-i nuk do të luftojë për ne.

“Prej përvojës time e di që fillimisht ne duhet me u përgatit edhe nëse ne ia çelim dyert tankeve dhe ushtrisë serbe, KFOR-i barrikadohet nëpër kazerma nuk lufton për neve. E di që ne vet duhet me u përgatit, me qenë sy qel sinqerisht ishalla nuk bëhet kurrë ajo, por ne duhet me qenë të përgatitur”, është shprehur Lushtaku.

Rusia ka filluar sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt, ndërsa sot është dita e 13-të kur të dyja vendet po përballen me luftë.

Ndërsa, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara deri më tani janë vrarë 1207 civile në Ukrainë.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.