Shqipëria heq tarifat doganore për mallrat kosovare, serbe dhe maqedonase

Qeveria shqiptare ka vendosur që të heqë tarifat doganore për mallrat që kalojnë përmes pikave kufitare shqiptare të cilat e kanë origjinën e tyre nga Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Vendimi vjen në vazhdën e angazhimeve të vendit në procesin e Ballkanit të Hapur dhe ndihmën që shtetet anëtare duhet t’i japin njëra-tjetrës në krizën e çmimeve të larta.

Edhe pse Kosova nuk është pjesë e kësaj nisme, Ministria e Financave ka vendosur përjashtimin e saj në bazë të marrëveshjeve që dy vendet kanë për heqjen e barrierave doganore me njëra- tjetrën.

Tarifat për parkimin e automjeteve, shtypshkrimin ose vulosjen e mallrave dhe peshimin e tyre do të bëhen zero.

Tarifat aktuale janë 6 euro për parkimin, 7 euro lekë për peshimin dhe 50 cent për vendosjen e plumbçes doganore.

Për një kamion që kalon mallrat nga pikat kufitare shqiptare kostot do të jenë afërsisht 14 euro më të ulta se më parë.

Në pjesën e parë të këtij viti, importet e vendit tonë në Serbi arritën 100 milion euro, sa gjysma e mallrave që eksportojmë në këtë shtet.

Kosova është një nga burimet kryesore ku biznesi shqiptar shet mallrat. Për periudhën janar maj, eksportet drejt Kosovës arritën 132 milion euro, ndërsa importuam 49 milion euro.

Në Maqedoninë e Veriut, Shqipëria bleu 55.2 milion euro mallra dhe shiti 62 milion euro.

ATT00001

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.