Vendosja e “bylyzykëve” ndaj personave me urdhër mbrojtës – çka thotë ligji?

Pas rastit të mbrëmshëm, ku një grua shtatzënë e moshës 35 vjeçare, në prag të lindjes, dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ka pasur reagime të shumta.

Është bërë e ditur se burri që dyshohet se e ka kryer vrasjen, ka qenë edhe më herët i akuzuar për dhunë në familje.

E pas kësaj është ngritur edhe çështja për zbatimin e Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike, pra të personave, të cilëvë u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

“Qëllimi i këtij ligji është të rregulloj përdorimin e mbikëqyrjes elektronike në procesin e drejtësisë penale për të ngritur sigurinë publike dhe për të garantuar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës, duke i respektuar plotësisht të drejtat e personave të përfshirë”, thuhet në këtë ligj.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vebi Mujku i cili ka bërë të ditur se ky ligj është në fuqi që nga viti 2015 dhe sipas tij, nuk është zbatuar asnjëherë.

“Sa herë flasim për vrasje të grave duhet pas parasysh që prej vitit 2015 e kemi një Ligj në fuqi të pazbatueshëm asnjëherë, Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike, i cili vendos pajisjet e sigurisë dhe alarmon policinë për rrezikun në dhomën e monitorimit sa herë që ushtruesi i dhunës (lexo kriminelin) i afrohet viktimës, saktëson lokacionin dhe alarmohet patrulla më e afërt e policisë dhe mbron viktimat. Edhe sot gruaja u vra vetëm 3 minuta larg stacionit të policisë”, thuhet në reagimin e tij.

Ai është shprehur se kosto e këtyre pajisjeve është qesharake, krahasor me jetën e një gruaje dhe një fëmije, përcjell Klankosova.tv.

“Kosto e këtyre pajisjeve është qesharake, krahasor me jetën e një gruaje dhe një fëmije. Ne presim donacione edhe për gjëra jetike, e shpenzojmë para koti në projekte me pak vlerë. Urdhri për mbrojtje është vetëm një copë letër A4 dhe nuk është as jelek anti plumb dhe as nuk jep siguri për viktimën. Duket se nuk e kemi shumë seriozisht mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje”, thuhet tutje në postimin e tij.

Reagim ka pasur edhe nga Agjencia për Barazi Gjinore, duke i bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që urgjentisht të adresojë prezencën e armëve në duart e qytetarëve.

Edhe kjo agjenci ka kërkuar që të sigurohen pajisjet përcjellëse të “byzylykëve” për personat, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e urdhërit mbrojtës.

“Agjencia për Barazi Gjinore dënon aktin mizor të vrasjes së Hamide Magashit, pranë spitalit të Gjinekologjisë në Prishtinë. ABGJ shprehë ngushëllime të sinqerta për familjen. I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që urgjentisht të adresojë prezencën e armëve në duart e qytetarëve. Po ashtu, kërkojmë nga organet e rendit hulumtim të detajuar pse një person i cili ka urdhër mbrojtje të posedoj armë. ABGJ kërkon që urgjent të sigurohen pajisjet përcjellëse të “byzylykëve” për personat e dhunshëm – ndaj te cilëve janë shqiptuar masat e ndalimit-urdhërit mbrojtës. Reagimi duhet të jetë urgjent”, thuhet në reagimin e kësaj agjencie.

Më poshtë e gjeni të plotë Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike:

https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=10877

Klan Kosova

ATT00001

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.