Zyra e Auditimit ka shpenzuar 3 milionë euro vetëm për qira në objekte private

Zyra Kombëtare e Auditimit që nga themelimi e deri më tash ka shpenzuar 3 milionë euro vetëm për qira në objekte private.

Kuvendi ka shqyrtuar të mërkurën kërkesën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vendosjen në objekt publik.

Komisioni i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë së Kosovës dhe AKP-së që të ofrojnë një objekt të përshtatshëm pune brenda objekteve publike për ZKA-në.Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë arsyetimit të kërkesës tha se aktualisht vlera e kontratës mujore për objektin ku gjenden tani në Arbëri, është 13 mijë e 500 euro, ndërsa për një vit 162 mijë euro.

“Kontrata është pesëvjeçare për objektin në Arbëri nga viti 2018, dhe është e mundshme që ajo kontratë të ndërpritet për qira”, tha Spanca.Ajo ka kërkuar që të aprovohet kërkesa nga Komisioni në mënyrë që të kursehen këto mjete për objekte me qira.

Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës kanë kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që të ofrojnë ndonjë objekt të pashfrytëzuar në Prishtinë për Zyrën Kombëtare të Auditimit.Po ashtu Komisioni ka miratuar Raportin Vjetor Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.
Komisoni pritet ta shqyrtojë edhe raportin e Shpenzimeve të Kuvendit për 3 mujorin e parë të vitit 2022./kp

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.