Zyra e Kryeministrit për Qeverisje të Mirë organizon fillimin e “Javës së Krenarisë”LGBTQI / Albulena Haxhiu dhe Mimoza Kusari premtojnë përkrahje për Kodin Civil



Me sloganin ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ ka nisur sot në Prishtinë ‘Java e Krenarisë’

Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka uruar ‘Javën e Krenarisë’, siç thotë ajo më shumë atyre që për shkak të stigmës nuk ishin sot aty.

“Me Kushtetutën e Republikës sonë drejtpërdrejtë lartëson të drejtat e njeriut. Kushtetuta frymon mbi parime e barazisë dhe kundër diskriminimit. Andaj këtij mandati si qeveri kemi bërë përpjekje që ta avancojmë atë përmes legjislacionit. Kemi dëgjuar fjalime shqetësuese nga Kuvendi i Kosovës, por siç e kam thënë po e them ne jemi bashkë sepse të drejtat e njeriut nuk negociohen”, tha Haxhiu.

Sipas saj, Kodi Civil na ka treguar që duhet punë e avancim. “Pavarësisht avancimi i të drejtave të komunitetit LGBTIQ mbetet ende sfidë”, tha ministrja Haxhiu.

Kurse Mimoza Kusari Lila, shefe e GP të deputetëve të LVV-së tha se do të donte që Kuvendi i Republikës të ketë kaluar tashmë Kodin Civil.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur në atë pikë jo se është çështje politike por se mungon vullneti njerëzor. Flasim për një të drejtë elementare jetësore, të drejtën për tiu treguar të tjerëve ngjyrat e bukura të dashurisë.  Në këtë frymë të ngjyrave të ylberit dua t’ju them se e keni mbështetjen tonë. Një shoqëri që ka kaluar nëpër margjina e shkelje të të drejtave do të duhej të ishte për të drejtat e të gjithëve”, tha ajo.

Kurse Habit Hajredini, drejtor i Zyrës së Kryeministrit për Qeverisje të Mirë, tha se janë duke punuar me të gjithë akterët për të drejtat e të gjithëve pa diskriminim.

“E kemi përgatitur dokumentin për komunitetin LGBTIQ+ që ka të bëjë me adresimin e të drejtave të komunitetit, shërbimet shëndetësore. Do të bashkëpunojmë me shoqëritë civile. Si Zyrë për Qeverisje të mirë po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshi Zyrën e BE-së, për parandalim të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Jemi duke punuar ngushtë edhe për strehimoren për personat LGBTIQ+”, tha ai.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.