Arrestohet rreshteri policor në Pejë, dyshohet për dhunim

Një zyrtar policor me gradën rreshter është arrestuar sot në Pejë për veprat penale dhunim, shantazh, fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara.

Inspektorati Policor i Kosovës thotë se rreth një muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se ai mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorin kompetent, filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative ndaj zyrtarit policor., Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë IPK.

Sipas kodit penal të Kosovës, neni 227, kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.
Policit të arrestuar me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.