Deputeti i VV-së thotë se KEDS-i po i diskriminon disa lagje: Ndalet rryma 6 orë në ditë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se në disa lagje ka reduktime të furnizimit me energji elektrike, derisa në disa tjera jo, raporton Express

Bajqinovci ka shkruar në Facebook se në disa lagje po ka ndërprerje të furnizimit të energjisë elektrike deri në gjashtë orë.

“Në disa lagje rryma ndalet deri në 6 orë në ditë, ndërsa kemi lagje ku energjia nuk ndalet fare”, ka shkruar Bajqinovci.

Ai thotë se KEDS-i nuk guxon të bëjë dallime të tilla.

“KEDS nuk guxon t’i privilegjoj lagjet e caktuara me energji elektrike, ndërsa lagjet në periferi t’i diskriminojë duke i lënë në terr me orë të tëra”, ka shkruar Bajqinovci.

Ndryshe, KEDS’i ka thënë se situata me reduktime do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim janë në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim në jemi në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i dhe do të veprojmë konform tyre”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.