Deputeti Shkreta për 50.000 eurot: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka thënë se po sulmohet padrejtësisht nga disa qarqe, pasi atij i janë vjedhur 50 mijë euro cash, nga banesa e tij para tri ditësh. Por këto para, që pretendohet se i janë vjedhur, nuk figurojnë në deklarimin e pasurisë së deputetit Shkreta në Agjencinë Kundër Korrupsionit si para cash. Kurse, deputeti në një publikim në Facebook ka deklaruar se “i ka përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë”.Ai tutje ka shtuar se “tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”. “Me 23.06.2022 familja ime ka rënë pre e një vjedhjeje dhe plaçkitjeje në banesën tonë. Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve”, ka shkruar ai. “Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij. Në orët e para të së premtes, më 24 qershor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka kuptuar se iu është vjedhura banesa në Prishtinë dhe për këtë ka njoftuar Policinë e Kosovës.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.