Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit thotë se nuk ka pasur komunikim mes murgjve dhe terroristve por pamjet tregojnë ndryshe

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar pasi sulmuan Policinë e Kosovës mëngjesin e së dielës, me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe një polic tjetër u plagos e një u lëndua. Disa orë pas sulmit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe përmes një komunikate dënoi ashpër sulmin dhe dhunën flagrante që po ndodhte në hapësirat e objektit fetar dhe u kërkoi të gjitha palëve që menjëherë të ndërpresin armiqësitë.

Nga Dioqeza e Rashkës dhePrizrenit kanë thënë se për ngjarjet e 24 shtatorit ishin informuar nga igumeni i manastirit, At Danilo, i cili bashkë me pelegrinët ndodheshin në manastir për liturgji pasi ishte ditë e diel.“Më pas atyre iu tha të strehoheshin dhe të mbylleshin në rezidencën e manastirit dhe të merrnin të gjitha masat për të mbrojtur jetën e murgjve dhe adhuruesve në manastir”- thanë nga Dioqeza për KALLXO Dioqeza thotë se murgjit nuk e kishin thirrur Policinë e Kosovës pasi, sipas tyre, një konflikt i armatosur rreth manastirit tashmë ishte duke u zhvilluar.

Ata thonë se ishin në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in dhe se KFOR-i po monitoronte drejtpërdrejt zhvillimin e ngjarjeve nga një dron që vazhdimisht regjistronte ngjarjet brenda dhe përreth manastirit. Nga Dioqeza shprehen se murgjit u këshilluan që të mos bënin asnjë bisedë dhe negociata të pavarura [me sulmuesit], por u detyruan të informonin Dioqezën, e cila ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet kompetente.“Pas përfundimit të konfliktit të armatosur, igumeni Danilo siç thuhet në deklaratën e dioqezanit, ia ka treguar Policisë së Kosovës dhe EULEX-it të gjitha dhomat e manastirit, të cilat gjatë gjithë kohës ishin nën kontrollin e abatit dhe vëllazërisë”- thuhet në përgjigjen për KALLXO nga Dioqeza. “Nuk ka pasur komunikim mes murgjve dhe personave të armatosur siç jemi në dijeni, pasi besimtarët dhe murgjit ishin strehuar dhe ishin mbyllur në rezidencën e manastirit” – theksojnë nga Dioqeza. Sipas Dioqezës, ati Danilo ua ka treguar kishën dhe të gjitha dhomat e manastirit ku banojnë murgjit përfaqësuesve të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe në ato lokale nuk është gjetur asnjë armë. “Më pas mësuam se personat e armatosur që kaluan nëpër manastir ndërsa po tërhiqeshin drejt pyllit, hodhën pushkët dhe një pjesë të pajisjeve në oborrin e manastirit”- nënvizojnë nga Dioqeza.Murgjit e manastirit të Banjskës, siç thotë Dioqeza, i kanë mundësuar Policisë së Kosovës dhe EULEX-it që të bëjnë një inspektim pas konfliktit të armatosur, përderisa Policia e Kosovës ka bërë edhe identifikimin e besimtarëve të cilët ndodheshin në manastir dhe pas inspektimit lejoi daljen e tyre nga territori i Kosovës përmes vendkalimit kufitar Jarinjë. Më tej, në bisedë më KALLXO nga Dioqeza tregojnë se situata aktualisht aty është e qetë dhe murgjit vazhdojnë jetën e tyre të përditshme monastike dhe shërbesat e tyre. “Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije ka vizituar të hënën pasdite manastirin e Banjskës, pas inspektimit të EULEX-it dhe Policisë. Situata aktualisht është e qetë dhe murgjit vazhdojnë jetën e tyre të përditshme monastike dhe shërbesat e adhurimit”- thekson Dioqeza.
Në anën tjetër, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u zotuan se do të sanojnë dëmet e shkaktuara në manastirin e Banjskës.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.