Disa shtete kërkojnë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale hetim për krime lufte izraelite në territoret palestineze

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), Karim Khan, tha të premten se ka pranuar kërkesë të përbashkët nga pesë shtete për ta hetuar situatën në territoret palestineze.

Ai tha se kjo kërkesë ka ardhur nga Afrika e Jugut, Bangladeshi, Bolivia, Komoret dhe Xhibuti. Afrika e Jugut tha se kërkesa është bërë “për t’u siguruar që GjNP-ja t’i kushtojë vëmendje urgjente situatës së rëndë në Gaza”, raporton agjencia “Reuters”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale tashmë ka në proces një hetim të vazhdueshëm për “situatën në Shtetin e Palestinës” për krime lufte të pretenduara se janë kryer nga 13 qershori i vitit 2014.

Muajin e kaluar, prokurori Khan tha se GjNP-ja ka juridiksion edhe për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, edhe për çfarëdo krimi të kryer si pjesë e kundërpërgjigjes së Izraelit, përfshirë bombardimin e Rripit të Gazës.
Lindje e Mesme / Gjykata Ndërkombëtare Penale thotë se ka juridiksion për hetimin e sulmeve të Hamasit e Izraelit
Për shkak se një hetim për këtë çështje tashmë është duke u zhvilluar, kërkesa e pesë shteteve do të ketë ndikim të kufizuar në praktikë.

Përmes një deklarate, zyra e prokurorit tha se deri më tani “ka mbledhur vëllim të konsiderueshëm të të dhënave dhe dëshmive” për krime në territoret palestineze dhe për ato që janë kryer nga palestinezët.

Izraeli nuk është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk e njeh juridiksionin e saj.

GjNP-ja mund të hetojë shtetas të vendeve që nuk janë anëtare të këtij institucioni në rrethana të caktuara, përfshirë rastet kur dyshohet se janë kryer krime në territoret e shteteve anëtare. Territoret Palestineze janë anëtare në këtë gjykatë nga viti 2015.

Duke qenë gjykatë që përdoret si mjet i fundit, GjNP-ja ndjek penalisht individë që dyshohen për vepra kriminale, kur 124 shtetet anëtare të saj nuk kanë gatishmëri ose nuk mund t’i ndjekin ata vetë.
Nacionale

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.