Dy viktima të COVID-19 u varrosën gabimisht në Prizren, arrestohen dy persona

Për shkak të përzierjes së dokumentacionit, dy viktima nga COVID-19 të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK janë varrosur gabimisht në Komunën e Prizrenit. Nga policia e kanë konfirmuar se të dy viktimat janë zhvarrosur, ndërsa për rastin janë arrestuar dy punëtorë të kompanisë që merret me transportimin e viktimave.
Dy viktima të COVID-19 të cilët kishin qenë të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK janë varrosur gabimisht në Prizren.
Krejt kjo ka ndodhur për shkak të përzierjes së dokumentacionit mjekësor të pacientëve.
Ndërsa, të dy viktimat më pastaj janë zhvarrosur.
Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka treguar se për rastin janë arrestuar dy punëtorë të kompanisë që bën bartjen e viktimave.
Ndërsa, ai ka treguar se kompania ka qenë e autorizuar që të bëjë zhvarrosjen e viktimave.
“Këtë punë e ka kryer kompania e cila ka qenë e autorizume për bartjen e tyre. Janë zhvarros është njoftu prokurori i shtetit dhe lidhur me këtë rast janë dy persona të arrestuar të kompanisë. Ata janë arrestuar mbrëmë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë treguar për Express se dyshohet se është përzier dokumentacioni mjekësor i pacientëve të cilët kanë vdekur në Klinikën Infektive.