EULEX arreston ish-kryetarin e Komunës së Malishevës

EULEX ka arrestuar mbrëmë ish-kryetarin e komunës së Malishevës, Isni Kilaj, pasi ka bastisur shtëpinë e tij, shkruan Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
“Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve“.
Kryetari Kastrati ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kilajt, derisa tha se ky është një veprim politik.
“Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojmë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim.
Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së dhe kërkojmë të ndërpriten këto veprime të turpshme“, thuhet në njoftim.