Komandanti i ri i KFOR-it: Detyrën po e marr në një periudhë të ndjeshme në të cilën po kalon Kosova

Në Prishtinë është mbajtur ceremonia e emërimit të komandantit të 28-të të Misionit të NATO-s në Kosovë, (KFOR).

Komandanti i deritanishëm, gjeneralmajori i ushtrisë italiane Agenlo Michele Ristuccia, ia ka dorëzuar komandën gjeneralmajorit turk, Ozkan Ulutas.

Gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutas në fjalën e tij të parë pasi mori detyrën e re, u shpreh se ndjehet i nderuar që do të nis këtë rrugëtim si komandant i ri i KFOR-it në Kosovë.

“Si komandanti i parë turk që mori përsipër këtë mision, e kuptoj rëndësinë e përgjegjësisë që kam marrë përsipër. Do të doja të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time për autoritetet kombëtare dhe të NATO-s, të cilët më besuan këtë detyrë”, ka deklaruar Ulutas.

Ozkan Ulutaş u shpreh se po merr komandën në një periudhë të ndjeshme në të cilën po kalon Kosova, për çka u zotua se do të punojë me vendosmëri.

“Përveç ndjenjave të larta dhe të fuqishme që krijojnë te individët të cilëve u janë besuar detyrat e rëndësishme, ato sjellin me vete edhe përgjegjësi të mëdha. Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e mia në këtë periudhë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon Kosova, po e marr komandën me vendosmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet dhe përvojën time për të siguruar që kjo njësi e shquar të shërbejë me sukses në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”, theksoi gjeneral Ulutaş.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.