Kosova përsëri blen armë nga kompania turke



Në fillim të kësaj jave, Kosovën e ka vizituar drejtori i kompanisë turke, prej të cilës vendi i bleu dronët e famshëm Bayraktar. Pas takimit me të, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, paralajmëroi investime në projekte të tjera në këtë fushë. Por, çfarë janë saktësisht këto projekte? Çka thonë nga Ministria e Mbrojtjes

Kosova po planifikon të zgjerojë bashkëpunimin me Turqinë, në fushën ushtarake. Pas dronëve “Bayraktar TB-2”, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar investime në projekte të tjera.

Këtë deklaratë, Maqedonci e ka dhënë pasi priti në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë “Baykar”, Haluk Bayraktar, gjatë vizitës që zhvilloi i njëjti në Kosovë.

Bashkëpunimi me kompaninë Baykar që është kthyer në kryefjalën e teknologjisë ushtarake me prodhimet e veta, ka bërë që FSK për një periudhë të shkurtër të ngrisë kapacitetet e saj luftarake në nivelin që garanton mbrojtje territoriale dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë. Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet e rradhës në të cilat do të investojmë, dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi përtej blerjeve”, deklaroi ministri pas takimit.

Projektet të cilat i pëmendi Maqedonci, janë ende vetëm ide, thonë nga Ministria e Mbrojtjes. Nga kjo ministri s’kanë pranuar të japin detajet për shumën e mjeteve që pritet të investohen, derisa shtuar se s’mund të japin informata për aktivitetet dhe bashkëpunimin në fushën ushtarake që po zhvillohen.

“Siç e ka theksuar edhe Ministri Maqedonci në shkrimin e tij, është biseduar rreth projekteve të cilat janë ende në fazën fillestare, ideore. Për nga natyra aktivitetet dhe bashkëpunimi në fushën ushtarake të cilat zhvillohen aktualisht nuk mund të ndahen me publikun”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Gazetën Express.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.