Kurti në Mamushë: Duhet t’i kemi prioritet prodhimet vendore

Si qytetarë të Kosovës, duhet t’i prioritizojmë prodhimet vendore duke u bërë pjesë e finalizimit të zinxhirit të vlerës përmes blerjes së tyre, ka thënë kryeministri Albin Kurti të shtunën nga “Festivali Ndërkombëtar i Domateve” në Mamushë, të cilën komunë e ka quajtur shembull për nga veprimtaria bujqësore.

“Bukë, djathë edhe domate, është ky një ndër vaktet më të shpeshta në sofrat tona sot, sidomos kur kemi domaten vendore të freskët të shëndetshme edhe plot shije. Më shumë nga nostalgjia sesa nga varfëria, domatja ka qenë edhe një burim i vlerave ushqyese, ku si fëmijë as uria nuk na ndante nga loja. Sot si qeveri e Republikës së Kosovës përmes programeve mbështetëse kemi rritur përkrahjen për perime qoftë në sera apo në fushë të hapur përmes mbështetjes financiare në kuadër të programit të pagesave direkte apo subvencione”, ka thënë ai, sipas njoftimit të Qeverisë.

Kurti ka thënë se Qeveria synon të përmirësojë bilancin tregtar tek importi i perimeve. Ka shtuar se bujqësia është potencial i madh për zhvillimin ekonomik. Sipas Kurtit, Qeveria që ai udhëheq ka treguar se e ka me prioritet këtë sektor “ku përveç rritjes së buxhetit për bujqësinë këtë vit për herë të parë mbulojmë vlerën e akcizës së naftës me 54 euro për hektarë, për çdo kulturë bujqësore përfshirë perimet”.

“Duke i blerë prodhimet vendore ne e ndihmojmë bujkun tonë. Asisoj bujku e rrit prodhimin edhe e rrit cilësinë e prodhimit. Ashtu rritet ekonomia, ngritet mirëqenia e qytetarit dhe forcohet shteti”, ka thënë Kurti.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.