Kuvendi miraton marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor

Në Kuvendin e Kosovës është miratuar të enjten Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja pritet të votohet gjatë 23 shkurtit edhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.

Pas hyrjes në fuqi, ajo do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja.

Qeveria e Kosovës e kishte miratuar këtë marrëveshje më 8 shkurt, para se ajo të ratifikohej në Kuvend.

Ndërsa, nëse marrëveshja miratohet sot në Këshillin e Ministrave, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.

Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës.

Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.