Lajm i fundit:Borrell kërkon vendeve të BE’së të dërgojnë më shumë policë në Kosovë

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë një konference për media ka përmendur sulmet e grupeve serbe në Veriun e Kosovës.
Të dielën, Borrell përmendi vetëm sulmin ndaj EULEX’iut por kësaj radhe ka thënë se ka pasur sulm edhe ndaj Policisë së Kosovës.
“Ka pasur një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Borrell, teksa ka treguar se do ta forcojnë EULEX’in në Kosovë, duke përmendur shtimin e forcave të misionit evropian në Kosovë.
Ai ka thënë se që nga muaji gusht ka një mori të konfrontimeve dhe provokimeve që kanë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit.
Kryediplomati i BE-së ka kërkuar nga dy palët, Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e dialogut.
Po ashtu Borrell paralajmëroi se mund të shtohen forcat e EULEX’it.
“Këshilli qartë ka bërë thirrje për qetësi dhe frenim nga veprimet e dhunshme e provokative. I kam kërkuar shteteve anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë më tepër njësite në misionin tonë të EULEX-it”, ka deklaruar ai.
Situata në Veriun e Kosovës është e tensionuar tash e dita ditë, ndërkohë ka pasur edhe të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës nga bandat kriminale serbe.