Mbyllet për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit

Reshje të dendura bore kanë mbuluar zonën malore në Brezovicë.
Si pasojë e kësaj është mbyllur edhe rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura të borës që ka mbuluar atë zonë, është vështirësuar qarkullimi i automjeteve dhe në ora 10:15 është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, deri në pastrimin e rrugës nga kompania për pastrimin e rrugëve. Policia e stacionit të Shtërpcës dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit është në Brezovicë dhe po orienton komunikacionin. Nga zyrtarët e Qendrës së Skijimit jemi njoftuar gjithashtu se sot, nuk ka kushte për skijim“, tha ai për Insjaderin.