NË KUJTIM TË MUALIMIT(MËSUESIT) TIM, HAFËZ MAKSUT EF. SPAHIUT (1910-1989)

Gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, nëpër xhamitë e Prizrenit, rregullisht organizohej dhe mbahej mësim-besimi fetar islam. Një organizim i tillë, ku më shumë e ku më pakë, varësisht prej përkushtimit të imamëve në fshatra, si dhe rrethanave objektive dhe subjektive në atë kohë, mbahej edhe nëpër xhamitë e fshatrave të Prizrenit.
Themi varësisht prej rrethanave dhe kushteve të kohës, sepse, sikurse dihet, ndonëse vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar gjatë pushtetit të atëhershëm komunist, ishin sado kudo më të përballueshme për sa i përket ushtrimit të ibadeteve fetare islame, krahasuar me vitet e fillimit të pushtetit komunist (1945-1970).
Pikërisht në vitin 1970 kisha nisur mësimet në klasën e parë të shkollës fillore te mësuesi im i dashur, z. Ruzhdi Dapko, një mësues i përkryer, për të cilën jam falënderues nga zemra për mësimin e gjuhës sonë të bukur shqipe. Akoma sot e kësaj dite më kujtohen mësimet, vjershat dhe këngët që i mbajë në mend, të mësuara nga mësuesi im z. Ruzhdi Dapko. Krahas mësimeve laike në shkollë fillore, po nga ky vit, përgjatë pushimeve verore, për vite me radhë kam ndjekur edhe mësimin fetar në xhaminë e Gazi Mehmed Pashës (Bajraklisë), tek mualimi (mësuesi i fesë) i dashur, Hafëz Maksut efendi Spahiu (shpirti i tij rahmet pastë!).
Mualimi im, Hafëz Maksut ef. Spahiu ka qenë një punonjës i palodhshëm, i cili i ka dashur shumë fëmijët, dhe me gjithë angazhimin e tij si imam në xhaminë e Qatib Sinanit në qytet, me vullnet të plotë dhe pa asnjë metelik, përgjatë pushimeve verore dhe dimërore, mbante rregullisht mësim-besimin fetar në xhaminë e Bajraklisë.
Mësuesi im i mësim besimit, Hafëz Maksut ef. Spahiu ishte pedant, elegant, i veshur me rregull, me sarëkun (shallin) dhe xhyben, të cilat i mbante pa ia nda. Ka qenë hafëz i fortë me një memorie të jashtëzakonshme të leximit të Kuranit. Ndonëse nuk kishte mekam (zë) të theksuar, ai konsiderohej si një ndër hafëzët më të fortë të qytetit të Prizrenit dhe më gjerë. Në vitet e shtatëdhjeta gjatë muajit të bekuar të Ramazanit së bashku me Hafëz Abdullah ef. Sagdanin (1912-1991) lexonin rregullisht mukabele para namazit të ikindisë në xhaminë e Bajraklisë. Hafëz Maksut efendiu, çmohej edhe për kaligrafinë e tij të bukur e të veçantë, dhe se nuk kishte shkrim me alfabetin arab të cilin nuk mund ta deshifronte e ta lexonte ai.
Hafëz Maksut efendiu, përveç që na ka mësuar shartet e imanit, islamit, abdesit, etj. dhe njohuritë e tjera themelore të fesë islame, ai na ka mësuar edhe leximin e shkronjave të Kuranit, gjegjësisht shkronjat e alfabetit arab. Edhe sot e kësaj dite Shehadetin (Dëshminë se Allahu është Një, dhe pejgamberi Muhamedi a.s është i dërguari i Tij), si dhe të gjitha duatë dhe lutjet që i di, na ka mësuar ai, dhe të cilat sot e kësaj dite i mbajë në mend. E veçanta e tij ishte se pyetjet i bënte aty për aty dhe pa paralajmërim të përsëritjes së leximit mësimit përmendsh të duave dhe lutjeve që i mësonim dhe i përsëritnim pa ndonjë problem të theksuar.

Nxënësit e mësim besimit fetar me mualimin (mësuesin) e tyre, Hafëz Maksut ef. Spahiun, në oborrin e xhamisë së Bajraklisë (Foto e viteve 1970)

Gjatë kohës sa kemi ndjekur mësim-besimin në mejtep te Hafëz Maksut efendiu, nuk kemi pasur libra të veçantë për mësimin e shkronjave të Kuranit, gjegjësisht të shkronjave të alfabetit arab. Mualimi ynë i dashur, Hafëz Maksut efendiu për çdo ditë që vijonim mësim besimin, na i shënonte nga dy rreshta në fletoret tona, të cilët rreshta ne i mësonim dhe të nesërmen i lexonim dhe i përsëritnim para tij, gjersa përfundonim shkronjat dhe fjali të shkurta leximi me rrokje dhe pas përfundimit të tyre kalonim në leximin e Kuranit fisnik.
Ka pasur vite kur gjatë pushimeve verore mësimin në mejtepin e xhamisë së Bajraklisë te mësuesi Hafëz Maksut efendiu, e vijonin edhe gjer në 100 nxënës. Mualimi ynë i dashur Hafëz Maksut ef. Spahiu na rreshtonte në oborrin e xhamisë dy nga dy, ashtu sikurse na rreshtonin në shkollë dhe pastaj hynim në xhami për të mësuar. Mësim-besimi nuk ishte i obligueshëm, por ishte në dëshirën dhe vullnetin e prindërve që na dërgonin në xhami, prandaj dhe numri i nxënësve që frekuentonin mejtepin ishte i ndryshueshëm dhe nga viti në vit ndryshonte. Në ditët kur numri i nxënësve ishte më i ulët, mësuesi fetar i ynë i dashur mbetej i dëshpëruar dhe i dilnit lotët për shkak të mos vijimit të rregullt të nxënësve. Kur ishim më pakë nxënës mësimin e mbanim në sallën që gjendej në përdhese të objektit të vjetër të Vakëfit – sot zyrat e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Edhe gjatë pushimeve dimërore, Hafëzi ynë i dashur, mbante mësim besim, porse për shkak të motit të ftohtë, frekuentimi i nxënësve ishte shumë i vogël, dhe se zakonisht në këtë periudhë kohore mësimin e vijonin vetëm ata nxënës që kishin hyrë në leximin e Kurani Kerimit.
Këto ishin vetëm disa nga kujtimet e mia, plot 50 vite (gjysmë shekulli) më parë, nga vijimi i mësim besimit tek mualimi (mësuesi) im i dashur, Hafëz.Makut ef. Spahiu. Do ta mbaj mend përherë gjersa të jem gjallë, dhe i jam falënderues nga zemra për të gjitha mësimet që i kam marrë prej tij. Zoti e shpërbleftë dhe e gradoftë me xhenetin firdevs!
Biografia e Hafëz Maksut ef. Spahiut
U lind në vitin 1910, nga babai Ymer dhe nëna Gjylnaze. Ka kryer medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren së bashku me ish-myftiun e Prizrenit, hafëz Safet ef. Bashën (1920-1987). Në fillim detyrën e imamit e ka ushtruar një kohë në fshatin Lubizhdë, për namazin e xhumasë, më pas kaloi me shërbim si imam në fshatin Piranë , ku qëndroi për një kohë të shkurtër. Më pas kthehet në qytetin e Prizrenit për të shërbyer si imam. Në fillim caktohet në detyrën e imamit në xhaminë e Haxhi Ramadanit (Qorr Agës), për t’u transferuar më tutje në xhaminë e Qatip Sinanit (Levishës), ku ka shërbyer imam prej vitit 1960 e deri në vitin 1982, kur doli në pension.
Hafëz Maksut Spahiu nderohej, çmohej, respektohej nga xhemati i tij dhe qytetarët e gjerë të Prizrenit, sepse karakterizohej me natyrë të qetë, i heshtur. Ishte hafëz i fortë dhe një ekspert i rrallë i kaligrafisë arabe. Ka qenë lexues i rregullt i mukabeleve gjatë muajit të bekuar të Ramazanit në Prizren. Ishte pedagog i veçantë, me plot vullnet, maturi dhe urtësi. Me dashuri të madhe ua ka mësuar njohuritë themelore të fesë islame qindra nxënësve. Një nga nxënësit e tij isha edhe unë, për se i jam shumë mirënjohës mualimit tim, falënderues nga zemra, që na ka mësuar dhe na ka edukuar në frymën islame. Përveç gjuhëve orientale (arabe, turke dhe perse) njihte edhe gjuhën frënge.
Hafëz Maksut ef. Spahiu ndërroi jetë dhe kaloi në Ahiret, në fund të muajit maj, në vitin 1989, në moshën 79 vjeçare. U varros me nderime të larta fetare dhe qytetare në varrezat “Kuriçeshme” të qytetit tonë të bukur të Prizrenit.

Në kujtim të tij, në krye të këtij përvjetori të 50-të të takimit me mësuesin-mualimin tim të mësim besimit fetar, bëj dua për shpirtin e tij të ndritur, me shpresë dhe lutje që Allahu i plotfuqishëm ta shpërblejë me xhenetin firdevs!

Av. Faik MIFTARI

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.