Osmani: Të ndryshojë qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë për zbatim të marrëveshjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ndaj Serbisë nuk ka asnjë pritje sa i përket mosnënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Osmani për dakordimin e arritur dhe aneksin e marrëveshjes bazë të arritur në Ohër dje, ka thënë se Kosova është dëshmuar se është e vetmja palë që është treguar konstruktive dhe e interesuar për paqe dhe stabilitet.

“Pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse. Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet”.

“Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, më 18 mars, në Ohër, Kurti dhe Vuçiq nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar nga BE-ja, por pati dakordim për të.

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Por, edhe kësaj radhe nuk kanë munguar interpretimet e ndryshme të palëve rreth asaj se çfarë marrëveshje është arritur.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.