Pedagogë dhe intelektualë shqiptarë thirrje qeverisë: Mos heshtni, në Gaza po kryhet genocid



Pedagogë, profesionistë, klerikë dhe aktivistë shqiptarë shprehin solidaritetin me popullsinë palestineze dhe i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të mos heshtë përballë krimeve të luftës dhe genocidit në Gaza.

Peticioni është firmosur nga 240 pedagogë dhe intelektualë nga Universiteti i Tiranës dhe universitetet e tjera në vend.

Firmëtarët e peticionit theksojnë:

“Ne, pedagogë, profesionistë, klerikë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Shqipëri, shprehim mbështetjen e padyzuar për popullin palestinez. Ne i kemi dëgjuar thirrjet e popullit palestinez për solidaritet global dhe për ndalim të menjëhershëm të dhunës genocidale në Gaza. Palestinezët nuk pranojnë t’i dorëzohen shtypjes dhe shfarosjes së kryer përgjatë 75 viteve shpronësim, spastrim etnik, pushtim ushtarak dhe aparteid.

Që nga fillimi i këtij sulmi të papërmbajtur, bombardimet pa diskriminim të ndërmarra nga Izraeli kanë vrarë më shumë se 7000 palestinezë, përfshirë këtu rreth 3000 fëmijë dhe qindra familje të shuara plotësisht. Bombardimi i Spitalit Baptist dhe Kishës Ortodokse të Gazës, ku objekt i sulmeve u bënë të plagosurit dhe civilët e pastrehë, janë krime lufte të padiskutueshme. Në akte që shprehin qartësisht qëllimin genocidal, Izraeli kërkoi transferimin e 1.1 milion banorëve të Gazës, pasi u ndërpreu furnizimin me ujë, ushqime, energji dhe lëndë djegëse, duke i mohuar 2.3 milion njerëzve, gjysma e të cilëve fëmijë, elementët bazë të jetesës. Forcat pushtuese dhe kolonët po intensifikojnë dhunën edhe në Bregun Perëndimor, duke kryer vrasje, duke arrestuar qindra dhe duke keqtrajtuar të burgosurit politikë.

E gjitha kjo po ndodh në kuadër të një bllokade ndëshkuese 16-vjeçare të vendosur mbi Gazën. Heshtja dhe indiferenca e çdo qeverie ndaj kësaj bllokade i bën ato bashkëpërgjegjëse në këto krime.

Genocidi është legjitimuar përmes dehumanizimit racist të palestinezëve. Yoav Gallant, Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, u është referuar palestinezëve si “kafshë në formë njerëzish”. Thirrje të ngjashme për të “fshirë” dhe “rrafshuar” Gazën kanë qarkulluar në mënyrë rutinë në median dhe shoqërinë izraelite. Udhëheqësit politikë dhe media shqiptare i janë bashkuar këtij kori duke ofruar mbështetje të pakushtëzuar dhe unanime për sulmet pa dallim ndaj civilëve”.

Ne bëjmë thirrje për:

1) Ndalim të menjëhershëm të fushatës genocidale të Izraelit në Gaza dhe dhunës së kolonëve në çdo pjesë të Palestinës historike. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të ndalë nxitjen që po i bën Izraelit përmes mbështetjes politike dhe pjesëmarrjes indirekte në fushatën e dehumanizimit të popullit palestinez.

2) Ne rikonfirmojmë dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë të drejtën e palestinezëve për liri, vetëvendosje dhe rikthim në tokat e pushtuara. Izraeli është një projekt i vazhdueshëm kolonial dhe ne kërkojmë njohjen e të drejtës për të rezistuar ndaj kolonializmit të kolonëve sionistë, pushtimit ushtarak të tokave palestineze dhe arabe nga Izraeli dhe regjimit të aparteidit dhe dominimit racor.

3) Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos lejojnë propagandën mediatike të mediave dhe aktorëve të caktuar të përziejnë dhe ngatërrojnë kriticizmin ndaj Izraelit dhe politikave të tij raciste me racizmin anti-hebre. Ne i hedhim poshtë përpjekjet për të censuruar solidaritetin me palestinezët dhe njerëzit e tjerë të shtypur dhe të persekutuar.
NEWSZONE

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.