Performancë “me karakter degjenerues”/Vazhdojnë reagimet për koncertin e Dokufestit pro LBTQI

Prizreni është ‘dridhur’ parmbrëmë nga një performancë e grupit pro LGBT “Peaches”, të Stefi dhe Ivana Dragshiq.

Fotografitë dhe videot e publikuara nga koncerti i së premtes kanë bërë që të ketë shumë reagime nga qytetarë edhe nga disa figura politike.

E para nga figurat politike që reagoi ishte Duda Balje kryetare e komisionit parlamentar për të drejta të njeriut.

“Mos e prekni frymën e Prizrenit tradicional dhe kulturor!” ka shkruar deputetja.
“Për gjërat që nuk janë normale, mos na bëni t’i pranojmë si moderne. Mos e prekni frymën e Prizrenit tradicional dhe kulturor! Pavarësisht se çfarë lloj Fest është, ju nuk keni të drejtë të shfrytëzoni momentin për ta paraqitur këtë! As në Prizrenin tim, as askund. P.S. Shpresoj që organizatorët të mos i kanë sjellë fëmijët e tyre , të mitur, me vete në hapjen e kësaj.” – ka shkruar Balje.

Një reagim të ashpër e bëri edhe deputeti tjetër nga qyteti i Prizrenit Erxhan Galushi.

“Mbrëmë, Prizreni dhe rinia e saj është turpëruar!” – tha ai.

Ai këtë performancë e quajti “me karakter degjenerues.”

Shumë komente pati edhe nga vetë qytetarët. Disa prej tyre e përmendnin Ministrin e Kulturës i cili është sponzor kryesor por disa edhe kryetarin e Prizrenit dhe komunën për të ndërmarr ndonjë veprim kundër festivalit.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi u bë pjesë për herë të parë në Marshin e Krenarisë në shenjë solidarizimi me komunitetin LGBTIQ.

Vlen të theksohet që Dokufest vazhdimisht ka marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Kosovës, siç mori edhe sivjet.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.