Prezantohet armatimi i gjetur në Zveçan

Është prezantuar armatimi i gjetur gjatë bastisjes në një shtëpi në Zveçan.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Veri ka bërë të ditur se në mesin e armatimit gjendeshin katër armë automatike, karikatorë të shumtë me plumba e municion përcjellës dhe materiale të ndryshme shpërthyese.
Në një konferencë për medie, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se hetimet janë duke u zhvilluar dhe se me rastin nuk ka ende persona të arrestuar e megjithatë, ka të dyshuar.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën e pesë shtatorit, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan.
Sipas ministrit të këtij dikasteri, kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar ai.
Sveçla ka theksuar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.