Punëtori i Neptunit dyshohet se vodhi të dhënat e klientëve për të blerë kriptovaluta

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje pre një muaji ndaj përgjegjësit në kompaninë “Neptun”, dega në Podujevë, Avdyl Selimi, i cili u arrestua nga Krimet Kibernetike, nën dyshimet për vjedhjen e të dhënave nga kartelat bankare të klientëve, të cilat i ka shfrytëzuar për blerje të kriptovalutave.

Këtë e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Selimi u ndalua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Sipas Prokurorisë, “i njëjti dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe me këtë rast dyshohet se ka përfituar mjete-para në vlerë prej mbi 5,000.00 €. “

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkëtares për të bërë pagesë.

“Në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.”.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.