Reagon KMDLNj:PËRGJEGJËSIA PARA LIGJIT E NJËJTË PËR TË GJITHË, JO PËRGJEGJËSI SELEKTIVE!

Kohëve të fundit ka më shumë raste kur gazetarët po pengohen në kryerjen e punëve të tyre sikur që është një vullnet më i madh për t’iu siguruar kushte më të mira dhe më të sigurta për punë. Përshkallëzimi i dhunës kundër gazetarëve ishte shprehur sidomos në komunat e Veriut të Kosovës në të cilat KFOR –i mori edhe përgjegjësi policore por se dështoi t’i merrte në mbrojtje gazetarët të cilët me të gjitha mjetet e mundshme u penguan. Pati disa arrestime në rast kur u identifikuan penguesit dhe sulmuesit e gazetarëve, mirëpo, pastaj thuja të gjithë u liruan, ende pa përfunduar procedurat. KMDLNj–ë edhe më parë ka kërkuar që gazetarët të kenë një mjedis të sigurt për punën e tyre në përmbushjen e misionit për informim të drejtë dhe profesional për ngjarjet që paraqesin interes për publikun, gjithnjë duke iu përmbajtuar kodeksit gazetaresk e që jo gjithëherë veprojnë në përputhje me këtë rregull të shkruar dhe të pashkruar. Rasti i fundit që ndodhi në Prizren kur u pengua ekipi i Gazetës “Nacionale“ u monitorua nga KMDLNj –ë sikur që edhe u dëgjua edhe incizimi midis gazetarit të “Nacionales“ dhe personit që pastaj u arrestua. Nëse është përgjegjësi, e është përgjegjësi për të siguruar kushte dhe mjedis për punë të papenguar të mediave, edhe mediat kanë përgjegjësi ta respektojnë palën tjetër që nuk e ndanë mendimin me këto media. Liria e shprehjes dhe liria e veprimit nuk është privilegj vetëm për njërën palë dhe ajo nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive sepse, nëse ndodhë kështu atëherë po e shkelim universalitetin e të drejtave të njeriut duke i zbatuar këto të drejta në mënyrë selektive. Pas ngjarjes në Prizren, ishte një përshkallëzim i fjalorit edhe i atyre që duhet dhe i mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Kishte deklarata se “duhet të arrestohet ai kriminel (penguesi i punës së gazetarit në fjalë), se ende nuk qenka arrestuar “ai kriminel“, se duhet të arrestohen edhe policët që nuk i mbrojtën gazetarët etj.etj. Për KMDLNj –ë, ky fjalorë paragjykues dhe akuzues, ende pa filluar hetimet apo pa përfunduar gjykimi, nuk është asgjë tjetër përveç ndërhyrje flagrante në punën e organeve të ndjekjes dhe atyre gjyqësore. Edhe gjykata përkatëse në vendimin që e merr, qoftë edhe dënues, nuk e përdorë cilësimin kriminel dhe kush i jepë të drejtë një gazetari, aktivisti për të drejtat e njeriut apo të drejtat e gazetarëve që të përdorë këtë cilësim pas së cilës thuaja të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë bien nën ndikim të këtij shantazhimi publik dhe marrin vendime, që KMDLNj–ë e vlerëson se janë në kundërshtim me nevojat aq më parë që mund të marrin ndonjë masë alternative që është në përputhje të plotë me natyrën dhe rrezikun e veprës. Në rastin e Prizrenit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve për një të ndaluar sikur që ishte pezulluar për 72 orë një oficer policie për shkak të mosveprimit. Cili oficer Policie ishte suspenduar në komunat e Veriut të Kosovës për shkak të mosveprimit ndonëse sulmet ndaj gazetarëve ishin shumë të të ashpra dhe më të rrezikshme. Për KMDLNj –në ky është rast tipik i zbatimit të standardeve të dyfishta dhe rënie absolute nën ndikimin e presionit të publikut gjatë marrjes së vendimeve. KMDLNj –ë edhe më herët ka reaguar kundër presionit publik në raste të shqiptimeve të rënda (sidodmos me burg të përjetshëm) ndaj prokurorëve dhe gjykatave e që nuk ndodhë në vendet ku mirëfilli sundon ligji. Te ne presioni dhe ndërhyrja në punën e gjyqësorit fillon kryesisht nga kreu më i lartë politik për të vazhduar pastaj edhe në nivele tjera.
KMDLNj-ë ka reaguar në të gjitha rastet kur gazetarët janë sulmuar apo penguar në kryerjen e përgjegjësive për informim të drejtë, objektiv dhe profesional duke kërkuar që edhe gazetarët t’i përmbahen mandatit të tyre. Në rastin e Prizrenit KMDLNj –ë kërkon hetime për pengimin e punës së gazetarit ndonëse askush nuk po reagon në mbrojtje të të drejtave dhe lirive fetare që janë garantuar me ligj e që paraqet, pa asnjë dyshim një qasje selektive në trajtimin e këtij rasti. Të drejtat e njeriut janë të pandashme dhe të njëjta për të gjithë, çdo përjashtim nga këto të drejta që iu takojnë me lindje është zbatim i standardeve të dyfishta e kjo pikërisht, sipas KMDLNj –së dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut është i diskutueshëm. KMDLNj –ë me kujdes do ta përcjellë këtë rast dhe do të reagojë ekskluzivisht në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, pa e paragjykuar rastin duke besuar në zbatimin e ligjit për të gjithë, pa diskriminim.

14 gusht 2023 Prishtinë Shërbimi për Informim KMLDNJ

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.