Sveçla për armatimin e konfiskuar sot në veri: Kjo iu tregon ndërkombëtarëve gjerësinë e planit serb për aneksimin e veriut

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas aksionit të policisë në veri ku u konfiskua arsenal armësh, tha se po vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit.
Sveçla tha se armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalit e Zveçanit dhe Banjkës.
“Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”, tha Sveçla,
Ky është reagimi i plotë i tij:
Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.
Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.
Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.