Vazhdon izolimi diplomatik i Izraelit, edhe një shtet e tërheq ambasadorin

Hondurasi u bë shteti më i ri i Amerikës Latine të premten që e tërheq ambasadorin në Izrael për konsultime rreth asaj që e quajti “situatë serioze humanitare” me të cilën po ballafaqohen palestinezët në Gaza gjatë luftës Izrael – Hamas.

“Përballë situatës serioze humanitare që po përjetohet nga popullsia civile palestineze në Rripin e Gazës, qeveria” e ka ftuar ambasadorin Roberto Martinez në Tegucigalpa “për konsultime”, shkroi në rrjetin X ministri i Jashtëm i Hondurasit, Eduardo Enrique Reina, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Hondurasi është shteti më i ri me qeveri majtiste në Amerikën Latine që ndërmerr masa diplomatike për ta shprehur mospajtimin rreth ofensivës së zgjeruar të Izraelit kundër Hamasit pas sulmit të këtij grupi më 7 tetor në jug të Izraelit.

Qeveria e Bolivisë i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin të martën, duke e akuzuar këtë shtet për “krime kundër njerëzimit” në Gaza. Edhe Kili e Kolumbia i tërhoqën ambasadorët e tyre nga Izraeli, duke e kritikuar ofensivën e ushtrisë izraelite.

Kryediplomati i Hondurasit i tha agjencisë “Associated Press” se tërheqja e ambasadorit është mënyrë për ta vënë vëmendjen te gjendja e civilëve në Gaza dhe shtoi se vendi i tij kishte vendosur që ta merrte këtë masë derisa situata të ishte më e qartë. Sipas tij, marrëdhëniet me Izraelin mbeten stabile dhe se diplomatët e stafi i ambasadës do të mbeten në Izrael.

Ai u vuri në pah pikat kryesore të një rezolute të Kombeve të Bashkuara, me të cilën bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm, respektim të së drejtës humanitare dhe fillimin e dialogut në kërkim të paqes.

Në vitin 2021, Hondurasi e kishte zhvendosur ambasadën e tij nga Tel-Avivi në Jerusalem në pushtetin e presidentit të atëhershëm, Juan Orlando Hernandez, i cili tani po e pret gjykimin për akuzat për trafikim droge në Shtetet e Bashkuara.
/ Nacionale

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.