10 vjet nga përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë, Kurti: Kosova më e fortë se kurrë

Në 10-vjetorin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është më e fortë se asnjëherë më parë.

Pas takimit me ish-shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë Pieter Feith, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova sot është shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor.

“Sot jemi mbledhur të festojmë 10-vjetorin e kësaj ngjarjeje më të re të historisë sonë, momentin një eveniment që shënon edhe fundin e një ere dhe fillimin e një tjetre, momentin kur Kosova u bë e lirë, sovrane dhe plotësisht një shtet i pavarur. Para 10 vjetësh, Republika e Kosovës ishte vetëm katër vjeçe. Pas 10 vjetësh, Republika e Kosovës është më e fortë se asnjëherë më parë. Tani jemi shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor. Vetëm vitet e kaluara jemi përmirësuar për 17 vende në Transparency International dhe shtatë vende në Raportuesit pa Kufij. Jemi të parët në rajon sipas projektit të drejtësisë për sundimin e ligjit. Mbi dy mijë persona janë arrestuar, përfshirë 300 zyrtarë publikë. Kemi zhbërë 74 grupe kriminale dhe kemi konfiskuar 1.5 ton narkotikë”, ka thënë Kurti.

Derisa ka folur për arritjet e qeverisjes së tij, Kurti tha se përparimi në sundimin e ligjit është në pajtim me avancimin ekonomik.

Ai ka shtuar se Kosova ka dëshmuar që është partner dhe aleat i besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Kurti ka kujtuar kohën edhe kur Feith e quante “mbret të Kosovës”, por tashmë ai tha se synimi i të njëjtit ka qenë i mirë.

“Synimi i mirë i Feith ishte në përputhje me respektin për qytetarët tanë, dëshirën për liri dhe aspiratat tona përfundimtare për të mos u përjashtuar nga komiteti ndërkombëtar dhe që t’i bashkëngjitemi këtij komuniteti si një vend i lirë, sovran dhe plotësisht i pavarur. Në korrik të vitit 2010 një opinion i Gjykatës Ndërkombëtare mbështeti që deklarimi i pavarësisë së Kosovës… dhe një grup i mbikëqyrjes, zotëri Feith vendosi që pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës të ndërpritet duke parë se vendi ynë i pavarur është duke ia dalë dhe që të bëhet plotësisht i pavarur”, ka shtuar Kurti.

Ish-shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovës, Pieter Feith theksoi se është i befasuar, meqë ai kishte menduar se ishte harruar nga Kosova.

“Në Bruksel nuk ishin shumë të interesuar për rolin tim, por duke qenë ashtu siç kam qenë, shfrytëzova një qasje që të lëvizja përpara në mënyrë të shpejtë në zbatimin e një liste të gjatë të dispozitave të planit të Ahtisaari-t në fusha të ndryshme duke respektuar pikëpamjet dhe preferencat e politikanëve kosovarë, ashtu siç është duhur. Barta autoritetin dhe përgjegjësinë tek institucionet këtu… Në verën e vitit 2013 përfaqësuesit e grupit drejtues ndërkombëtar filluan që të japin konsiderata të daljes dhe dhënies fund të pavarësisë së mbikëqyrur. Kishte shumë refleksione për datat dhe dhënies fund, atëherë po mendonim ne fund të verës 2012 dhe në të njëjtën kohë parimet e mia po fokusoheshin që gjatë vitit të kaluar, përpjekjet e fundit për të zbatuar sa më shumë që është e mundur të planit të Ahtisaari-t. 90 për qind të pakos e pa dritën e të zbatuarit me “dritën e gjelbër” të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Si rezultat kur erdhi koha që të përfundojnë në shtator të vitit 2012, të nesërmen shkuam me keqardhje për shkak të miqësisë që kishim me kosovarët. Shkuam dhe nuk lamë gjurmë prapa”, ka thënë ai.

Feith ka përmendur sfidat me të cilat po përballet Evropa, për çka shprehu bindjet e tij për qeverisjen e Albin Kurtit.

“Jam i bindur Albin që nën udhëheqjen tuaj të urtë do t’i mundësoni Kosovës që vazhdojë përparimin drejt këtyre objektivave dhe do t’i mbroni interesat e Kosovës në fazat e sfidave”, ka thënë ai.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.