Aktakuzë ndaj një personi për falsifikim të parasë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Sipas aktakuzës, me datë 23.09.2021, rreth orës 12:55 në rrugën ‘’Enver Hadri’’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtën me qëllim që më pas ta vë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që hyn në një lokal pronar i të cilit është H.M., nga Prizreni, merr një pako të cigareve ‘’Marlboro’’ dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € (njëqind euro) dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete.

Po ashtu, me datë 18.09.2021, rreth orës 08:20 në Prizren, i pandehuri A.K., hyn në një market – pronar i të cilit është N.M., nga Prizreni, merr dy pako të cigareve dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € (njëqind euro) dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete.

Në të dyja rastet, është vërtetuar se kartëmonedhat janë falsifikim i plotë, përmes raportit të ekspertimit të datës 17.11.2021 nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë.

“Me këto veprime, i pandehuri A.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë” sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet më tej në aktakuzë.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.