Aparaturat për kriptovaluta në ahur të kafshëve, pamje nga aksioni në veri

Pas vendimit të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë vendin, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri. Vetëm në fshatin Trebicë të Komunës së Leposaviqit, janë konfiksuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

Për këtë aksion ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, aksioni ka përfunduar pa ndonjë incident. Duke publikuar pamje nga ky aksion, Sveçka ka njoftuar për arrestimin e një të dyshuari.

Ai ka bërë me dije se të tilla aksione do të vazhdojnë.

“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, se një aksion i tillë do të zhvillohej ka pasur paralajmërime.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se edhe veriu i vendit do të trajtohet si e gjithë pjesa tjetër e territorit të vendit.

Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafë Kelmendi, ka paralajmëruar mes rreshtash edhe aksion.

“Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës. Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprejnë këtë aktivitet”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.