Arrestohet 39-vjeçari tenton ta korruptojë Policinë me dy 5-she: Pini kafe e mos më dënoni, kam rrugë të gjatë

Një 39-vjeçar ka tentuar t’i korruptojë zyrtarët policorë në fshatin Zajm të Klinës, në një pikë kontrolli, duke u ofruar para, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti ka ndodhur pasi i dyshuari u ndalua nga patrulla policore për shkak se kishte bërë tejkalimin e shpejtësisë derisa ishte në lëvizje me kamionin e tij.

Policia e ka ndaluar të njëjtin dhe ia ka kërkuar dokumentet, ku ky i fundit i kishte vendosur edhe dy bankënota nga 5 euro, duke tentuar t’i korruptojë policët.

Burimet e kanë bërë të ditur se pasi zyrtari policor iu kishte drejtuar të dyshuarit se çfarë janë ato para, i njëjti është përgjigjur se “po ju jap për kafe, mos më dënoni pasi kam për të bërë rrugë të gjatë”.

Njësia policore e ka arrestuar menjëherë të dyshuarin, i cili është dërguar në stacion policor për t’u intervistuar lidhur me rastin.

Pas dhënies së deklaratës, i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhënie ryshfeti”.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.